Friday, May 6, 2011

A tribute to Rozi Theohari

I don't make postings in the Albanian language because I believe most of the visitors to the Frosina Blog do not speak or understand our native tongue. However, here's a tribute in te Albanian language to our talented poet, Rozi Theohari, that I couldn't pass up!

Copy the posting by Shpresa Vranari about Rozi below, then go Go to Google Translate, paste the information, and punch in Translate from Albanian to English so you can have some idea about Rozi's good news.

***

Mbi prezantimin e librit të Rozi Theoharit “Do leave out my right hand”

Nga SHPRESA VRANARI

Më 17 prill 2011 në klubin e poetëve dhe artistëve të Lynnit, Massaçusetts, u bë prezantimi i librit të Rozi Theoharit “Do leave out my right hand” (“ Krahun e djathtë ma lini jashtë”). Mes të ftuarve isha edhe unë, e mezi po prisja të takoja Rozin dhe miqtë e saj. Parkova makinën bri godinës shumëkatshe ngjyrë gri, ku ishte edhe adresa e shtëpisë së znj. Elizabeth Gordon Mckim dhe u ngjita në katin e katërt. Aty gjeta plot të ftuar të tjerë që po hynin në një livingroom gjigand, i cili dukej si një nga ato sallat e vjetra , por të veçanta parisiane. Piktura dhe foto të shumta mbulonin muret…gjithandej etazhere dhe suvenire nga shumë vende të globit. U takova me znj. Elizabeth, Rozin dhe poetë e artistë nga rrethinat e Bostonit. Njerëz të etnive të ndryshme, me backgraunde të ndryshme, me fytyra e tipare të ndryshme…por të gjithë të mbledhur aty për fjalën e shpirtit, për artin.

Ishte kaq thjeshtë dhe ngrohtë në atë takim njerëzish të huaj dhe të afërt njëkohësisht. Dhe m’u duk e largët, tej harrese ajo kohë, kur u rritëm me urrejtjen për anën tjetër të botës. Në Shqipërinë e vogël dhe të ndrydhur nën thundrën e kuqe komuniste mësonim të urrenim atë që quhej art i vërtetë. Të abandonuar “vullnetarisht” në botën tonë mikroskopike, luftonim me togfjalësha politike dhe…më shumë e më shumë largoheshim nga zanafilla e poezisë, nga zanafilla e thirrmës së shpirtit. Kurse jashtë kufijve tanë jeta rridhte e lirë dhe e ngrohtë, me fjalën e poezisë e me tingullin e lirë të këngës.

Ishim të gjithë të njëjtë e të barasvlershëm.

Kishim të njëjtin ritëm dhe frymëmarrje.

Ishim njerëz të lirë e të mbushur me vibracione nga i njëjti burim.

Kishim një muzë.

Kishim një dëshirë…të ndienim ritmin e gjuhës së shpirtit, të ndienim poezinë.

Elizabeth Gordon Mckim, me cilësinë e zonjës së shtëpisë çeli takimin duke lexuar dhe interpretuar disa nga poezitë e saj të fundit nga libri “The Red Thread” (“Filli i kuq”). Asaj gruaje me flokë gri nuk i ndahej nga fytyra buzëqeshja e butë kur recitonte vargjet e veta, shoqëruar nga një vegël muzikore të ngjashme me Lirën. Fillimisht u befasova…ishte e para herë tek ndiqja një poezi të shoqëruar edhe me mërmërima kënge, të këngëzuar, por sinqerisht, ata vrunduj të butë tingujsh të depërtonin thellë në shpirt e të qetësonin. Me lirshmërinë dhe thjeshtësinë që e kanë si gur të çmuar njerëzit me botë të plotë, ajo m’u afrua dhe më dhuroi librin e saj të fundit “The Red Thread”. “Rozi është ndër miket e mia më të mira dhe natyrisht, ju jeni e mirëpritur këtu dhe shpresoj të bëheni dhe mikja ime” – tha ajo dhe qeshi ngrohtësisht. Zonja Elizabeth G. Mckim është një zë i ndjeshëm dhe i apasionuar për poezinë, e cila shkon përtej ritmit të të folurit, duke iu afruar këngës. Ajo është lauruar dhe diplomuar edhe në fakultetin europian të Zvicrës për artet ekspresive dhe njëkohësisht është pedagoge në Universitetin “Lesley” në Kembrixh, Massaçusetts.

Toni Toledo, një artist i pasionuar i interpretimit poetik dhe kryetari i shoqatës, ftoi prozatoren e re Kato Mele të prezantonte diçka nga vetja e krijimtaria. Ajo lexoi “udhëtimin” e saj “Në rrugë me Katon”. Ishte një krijim imagjinativ në prozë, me përshtypje udhëtimi të shoqëruara me çastet mbresëlënëse, ku nuk mungonte humori që vetë autorja e interpretonte me dinamizëm.

Më tej, pedagogia e kolegjit Isabell Van Merlin prezantoi librin e Rozi Theoharit “Do leave out my right hand”. Mbasi bëri një përmbledhje mbi përmbajtjen e librit dhe komentoi disa nga poezitë, znj. Isabell tha: “Rozi Theohari është gazetare, shkrimtare dhe poete e fuqishme. Ajo vjen nga Shqipëria, unë jam skulptore, artiste dhe shkrimtare e lindur në South Carolina. Por e konsideroj veten me fat që jetoj në të njëjtin rajon me Rozin dhe jam mike e saj si edhe bëjmë pjesë në të njëjtin klub artistësh…Rozi ka një vizion unik, ekspresiv dhe plot dritë, të piketuar në shumë drejtime. Shpesh ajo shkruan për njerëz të zakonshëm, por percepsioni i saj është i jashtëzakonshëm. Unë e adhuroj mënyrën se si ajo shkruan, duke vënë në plan të dukshëm gjërat që ne shpesh i konsiderojme “të vogla”. Dhe në prezantimin e saj ato…gjërat e zakonshme, bëhen interesante dhe shumë me vlerë…Unë e ndiej se kemi shpirt të afërt në mënyrën se si ne e perceptojmë botën rreth nesh, të ndriçuar nga humanizmi dhe ndjesia e gëzimit njerëzor…Rozi Theohari e ndan me ne eksperiencën e jetës shqiptare dhe të mbresave që ka fituar këtu në USA, nëpërmjet poezisë dhe prozës së saj…”

“Në poemën “Do leave out my right hand” ajo sjell tragjiken, sagën (baladën) e vuajtjeve të një gruaje të re, Rozafës, që muroset dhe kërkon që gjysma e qënies së saj të vazhdojë të kujdeset për të birin e vogël. Është një hymn për jetën…Por shpesh, Rozi në krijimtarinë e saj përcjell edhe humor e ndjesi të gëzimit, gjë që tregon për vitalitetin dhe këndin filozofik me të cilin autorja e sheh jetën.”

Zonja Van Merlin u shpreh se ka lexuar shumë nga poezitë e Rozit dhe është entuziazmuar nga ekspresioni dhe vizioni plot dritë i fjalës së poetes. “Rozi të befason me tregimet dhe vargjet e saj. Ajo është unike dhe profesionale në punën e saj si autore. Lexojeni atë me kujdes, mos humbisni asnjë detaj.”- përfundoi poetja amerikane.

Në fjalën time përshëndetëse (Sh. V.), vura në dukje se Rozi për ne shqiptarët e diasporës është një ambasadore që lidh dy botët tona, atë që kemi lënë pas në Shqipëri (dhe prej së cilës asnjëherë nuk jemi ndarë) dhe atë që kemi krijuar këtu në USA…Ajo bën një punë të vazhdueshme, me përkushtim, duke skeduar me penën e saj çdo çast të rëndësishëm të jetës shqiptare në diasporë. Rozi Theohari tashmë ka krijuar një “bibliotekë” dinjitoze me veprat e saj. Ajo shkruan vazhdimisht artikuj për ngjarje të komunitetit dhe vendit ku jeton, pra për Amerikën. Ajo reflekton me poezinë e saj të ndjerë për ngjarje dhe çaste që i trokasin në shpirt. Është një zë i spikatur në botën e letrave…Në librin “Do leave out my right hand” përveç poemës së Rozafës, ku ajo shpreh forcën e dashurisë mëmësore gërshetuar me dhimbjen e vdekjes, Rozi ka një sërë poezish të arrira që pluskojnë në tërë harkun kohor dhe hapësinor: nga çasti i parë që shkeli në USA më 1994 me poezinë “Goodmorning America”, poezi të tjera për emigrantët, për vjeshtën mbi Atlantik, për ishullin e Nahantit, ku ajo merr pjesë në korin e kishës së vjetër…në atë Nahant ku Henri Llongfellou ka marrë shumë nga impulset e poezive të tij të famshme. Ajo shkruan për Shenjtoren e madhe Nënë Terezën e shqiptarëve dhe të të gjithë botës. Ajo e mbron me dinjitet e krenari lidhjen fisnore që ne shqiptarët e “zvogëluar” kemi me Shenjtoren…Rozi shkruan vargje te ndjera për humbjen e bashkëshortit, Viktorit, te poezia “Invisible”, apo vargje se si ndihet zemra e gjyshes për nipin, Janin. Poetja është kudo me penën dhe shpirtin e saj të ndjeshëm dhe u përgjigjet këtyre momenteve jo vetëm me ndjenjën që buron pastër, por edhe me profesionalizëm, duke i shkruar poezitë direkt në gjuhën angleze.

Rozi ka marrë shumë çmime si këtu në USA edhe në Shqipëri. Ajo ështe nderuar disa herë për kontributin e saj letrar dhe shoqëror. Vetë presidenti i SHBA Barak Obama i ka dërguar letër përshëndetje dhe falënderimi për librin e saj poetik, brenda të cilit dy poezi i janë kushtuar figurës së tij si një president karizmatik.

Tek Rozi Theohari gjen vizionin e një intelektualeje të arrirë në shumë fusha.

Si ju, edhe unë jam mikja e saj dhe ndihem e nderuar të flas për të.”

Së fundi Rozi u ngrit për të treguar disa nga çastet e jetës së saj prej shqiptareje (ata ia kërkuan njëzëri)…E folura e saj e lirshme, e ngrohtë, e hapur, i bëri të gjithë ta dëgjonin me vemendje. Mes shumë detajeve të jetës fëminore ajo kujtoi e tha: “ Në fshatin tonë Dardhë, rrëzë maleve, ku dëbora shtrohet gjatë gjithë dimrit, ishte traditë që burrat venin në emigrim për arsye ekonomike. Ashtu iku gjyshi, babai im dhe shumë të tjerë…Kur vinin letrat nga Amerika ishte një ngjarje e veçantë: dëgjohej këmbana e kishës që lajmëronte…dhe njerëzit prisnin me shumë mall letrat, që vinin rrallë…Unë u rrita pa babanë. Ai ishte si një ëndërr për mua që mbeti këtu në Amerikë, prandaj në shumë mënyra ky vend ku im atë ka jetuar e punuar, më duket një atdhe i dytë…më duket si Shqipëria.”

Rozi foli gjatë dhe përmendi plot kujtime. Dikush kërkoi ndonjë kujtim që kishte të bënte me kauzën e fryrë të komunizmit. Dhe Rozi tregoi një nga historitë plot humor të jetës së saj në një revistë të kohës. Ajo rrëfeu me humor e lirshmëri absurdin e kërkesave të shefave komunistë. Ajo fliste me një anglishte të zhdërvjelltë, duke e shoqëruar edhe me plastikën e saj ekspresive dhe…të pranishmit qeshnin. Ata të gjithë tashmë ndodheshin në Shqipërinë e largët të atyre viteve. Kishin hyrë plotësisht në skenarin e atij çasti të huaj, kishin kapur situatën qesharake të burokracisë shqiptare, të sheqerosur me disa citate të Mao Ce Dunit kinez, që na e shtuan barrën e persekutimit edhe më tepër.

Unë e dëgjoja me admirim dhe kënaqesha që humori kapej aq lehtë nga dëgjuesit. Të përcjellësh batuta groteske-komike në një gjuhë të huaj është shumë e vështirë, por Rozi ia doli me sukses.

Tashmë jashtë po binte muzgu dhe kitara e muzikantit Don Vhite shpërndahu tinguj romantikë duke shoqëruar ëmbëlsinë e zërit të tij mesdhetar (prindërit e vet vinin nga brigjet e Jonit…Greqisë). Me këngët e këtij këngëtari autor përfundoi edhe kjo mbrëmje poetike. Çdokush u ndie shumë mirë në këtë takim, dhe ja, z. Toledo, në fjalën e tij mbyllëse falënderoi zonjën Elizabeth për mikpritjen, të ftuarit për pjesëmarrjen dhe autorët, të cilët u bënë shkas për këtë tubim.

Në emër të klubit të artistëve të Lynnit z.Toledo i dhuroi Rozit një libër me poezi të poetit gjerman R. Rilke. Rozi, duke falënderuar u dhuroi edhe ajo librat e saj disa pjesëmarrësve.

Ishte një mbrëmje poetike e ngrohtë dhe, natyrshëm, mund të bëheshe pjesë e atij klubi artistësh.
LYNN, MA, Prill 2011


0 Comments:

Post a Comment

Subscribe to Post Comments [Atom]

<< Home